Copyright ©
2019 Michael A. Brown
Fara e fjalës
Zoti Jezu në shëmbëlltyrën e tij të
mbjellësit e krahasoi fjalën e Perëndisë, ungjillin, me farën që mbillet në
jetën e njerëzve nëpërmjet predikimit. Fara
bie në shumë lloje të ndryshme tokash të cilat simbolizojnë zemrat e dëgjuesve.
Në disa raste fara nuk ka asnjë efekt,
kjo për shkak të gjendjes së zemrës së njeriut. Në të tjerat ajo fillon të rritet, por nuk
arrin të lëshojë rrënjë të thella dhe kështu vdes.
Sidoqoftë, ka njerëz të cilët simbolizohen
nga toka e mirë. Zemrat e tyre janë të
hapura ndaj fjalës dhe e pranojnë atë me kënaqësi. Në ta fjala ka efekt dhe arrin të lëshojë
rrënjë, të rritet dhe më së fundi të japë fruta.
E dimë se është ligj i natyrës që fara të
prodhojë vetëm fruta nga lloji i saj. Për
shembull, fiku mund të prodhojë vetëm fiq dhe jo rrush etj. Ai nuk mund të japë fruta të ndonjë lloji
tjetër. Ky ligj vepron gjithashtu edhe
me fjalën e Perëndisë. Fara e fjalës jep
dhe mund të japë vetëm fruta të llojit të vet. Fjala e Perëndisë mund ta prodhojë vetëm
natyrën e Krishtit, sepse ky është lloji i vet. Është po aq e pamundur për fjalën e Perëndisë
t’i japë frutat e mëkatit, sa ç’është e pamundur që hardhia të prodhojë fiq. Fjala e Perëndisë nuk mund të prodhojë ferra
dhe gjemba shpirtërorë, por vetëm natyrën e Krishtit. Mungesa e natyrës së Krishtit tregon se nuk ka
farë të fjalës së Perëndisë që të ketë lëshuar rrënjë e bisk në zemrën e
njeriut.
Apostull Pjetri na tregon se është kjo
farë e fjalës së Perëndisë, që ndodhet brenda nesh, ajo që na e jep rilindjen,
dmth ajo fillon t’i lëshojë brenda nesh biskun dhe frutën e saj, natyrën e
Krishtit:
“…të rilindur jo nga një farë që
prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së gjallë të Perëndisë, që mbetet
përjetë…” (1 Pjetri
1:23)
Kështu, kur Fjala e Perëndisë zë vend në
zemrat tona dhe fillon të lëshojë bisqe, ne lindim sërisht dhe kjo natyrë e re
fillon të rritet brenda nesh. Është e pamundur që kjo farë të lëshojë
rrënjë dhe bisqe pa pasur si rezultat një rilindje, e cila nga ana e saj ka për
rrjedhojë një jetë të re.
Tek Gjoni 3:3-8 Zoti Jezu e theksoi këtë
të vërtetë të të lindurit sërisht:
“Në të vërtetë, në të vërtetë po të
them se nëse një nuk lind përsëri, ai nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë…
kush nuk lind nga uji dhe nga Fryma, ai nuk mund të hyjë në mbretërinë e
Perëndisë. Ç’ka lindur nga mishi, është
mish; dhe ç’ka lindur nga Fryma, është frymë. Mos u mrekullo që të thashë: ‘Duhet të lindni
përsëri’. Era fryn ku të dojë dhe ti ia
dëgjon zërin, por nuk e di nga vjen dhe ku po shkon; kështu është edhe çdo
njeri që është lindur nga Fryma”.
Kështu, Jezui thotë që eshtë e domosdoshme
që njeriu të lindë sërisht në mënyrë që të bëhet besimtar i vërtetë dhe
pjesëtar i mbretërisë së Perëndisë. Ai
thekson, gjithashtu, se kjo rilindje nuk është diçka natyrore, ajo është diçka
frymërore që kryhet nëpërmjet veprimit të Frymës së Shenjtë:
“Ç’ka lindur nga mishi, është mish;
dhe ç’ka lindur nga Fryma, është frymë”. (Gjoni 3:6)
Kështu pra i shohim këta dy agjentë – fjala
dhe Fryma – të veprojnë së bashku për t’i krijuar brenda nesh këtë jetë të re
dhe natyrën e Krishtit.
Apostull Gjoni na e shpreh po këtë të vërtetë
në një mënyrë tjetër kështu:
“…të gjithëve atyre që e pranuan, ai
u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët
nuk lindën as prej gjakut, as prej vullnetit të mishit, as prej vullneit të
burrit, por prej Perëndisë”. (Gjoni 1:12-13)
Ata që e besojnë dhe e pranojnë Jezu
Krishtin në jetën e tyre, bëhen fëmijë të Perëndisë. Gjoni thotë se këta fëmijë nuk kanë lindur në
mënyrë të natyrshme, nga veprimi i njeriut (as nga prejardhja e tyre natyrore,
as nga vendimet apo vullneti i tyre njerëzor) por kanë lindur nga Perëndia. Me
fjalë të tjera, në zemrën e njeriut që vërtet e pranon Krishtin kryhet një
veprim hyjnor që punon për ta lindur brenda tij këtë natyrë të re të Krishtit.
Kështu, është e pamundur që dikush të
besojë vërtet në Krishtin pa përjetuar këtë ndryshim hyjnor në zemrën e tij. Lindja e re e prodhon natyrën e re. Ajo e prodhon jetën e re.
Kthimi i vërtetë sjell ndryshim
Na bëhet e qartë në mësimet e Dhiatës së
Re se kthimi i vërtetë (në besimtar) sjell ndryshim. Nuk mund të ketë kthim të vërtetë pa këtë
ndryshim. Ndryshimi përshkruhet në mënyra
të ndryshme, dhe i japim tri prej atyre më poshtë. Tek Gjoni 9:39 përshkruhet si të dhënët të
verbërve aftësinë për të parë. Tek Efesianët
5:8-9 e 2 Korintasit 4:4-6 përshkruhet si të kaluarit nga errësira në dritë. Dhe tek Gjoni 5:21,24-25 përshkruhet si ngjallja
së vdekuri. Kështu ky ndryshim është me
të vërtetë ndryshim i madh! Na tregohet
tek Efesianët 1:19-20 e 2:1,5-6 se Perëndia vepron me këtë fuqi
ringjallëse në jetën e gjithë atyre që vërtet i besojnë Jezu Krishtit.
Tek Efesianët 2:1-5 gjendja e njeriut pa Krishtin
na përshkruhet kështu: ai është i vdekur frymërisht (2:1,5); është mëkatar (2:1);
është i pabindur dhe jo i nënshtruar ndaj Perëndisë (2:2-3); jeton duke i
ndjekur rrugët e kësaj bote (2:2); jeton nën sundimin e Satanit (2:2), dhe jeton
sipas dëshirave mëkatare, instinkteve dhe kokëfortësisë së tij (2:3). Për më tepër, tek Romakët kap.8 shtohet se ai është i drejtuar nga mishi (natyra e
tij mëkatare) dhe nuk mund ta kënaqë Perëndinë (8:8); është armiqësor ndaj
Perëndisë (8:7); nuk i nënshtrohet dhe nuk mund t’i nënshtrohet ligjit të
Perëndisë (8:7). Tek 2 Korintasit 4:4
shtohet edhe se ai është verbuar prej Satanit, që të mos besojë.
Gjendja e njeriut të ndryshuar, në Krisht,
mund të përmblidhet në një frazë nga Dhiata e Re: Krishti ndodhet në të (shih tek Rom. 8:10, Efes. 3:17, Kol. 1:27). Njeriu i ri është njeri i lindur sërisht,
fëmijë dhe trashëgimtar i Perëndisë. Ka
një natyrë të re, natyrën e Krishtit. Ka
ndryshuar në pjesën më të thellë të qenies së tij. Është pjesëmarrës i natyrës hyjnore (2 Pjet.
1:4). Tani ka një faktor sundimtar të
ri, diçka prej Perëndisë brenda tij. Ai
bëhet si Jezui. Fryma e Shenjtë banon në
zemrën e tij dhe e transformon atë nga dita në ditë në ngjashmërinë e tij.
Është e qartë se në qoftë se njeriu vërtet
e ka këtë natyrë të re, ashtu si dhe thotë se beson, atëherë kjo natyrë e re,
meqë vjen prej Perëndisë, shpejt a vonë do të shfaqet hapur. Nuk mund të mbetet e fshehur. Nuk mund të imitohet. Njeriu nuk mund të mbetet në veprimet dhe
sjelljet e tij të jashtme ashtu siç ndodhej më pare:
“Prandaj nëse dikush është në
Krishtin, është një krijesë e re; të vjetrat shkuan; ja, të gjitha u bënë të
reja”. (2 Kor. 5:17)
Dhe, natyrisht, në qoftë se nuk shfaqet
kjo natyrë e re, atëherë lind pyetja: a ekziston vërtet? Njihet pema prej frutave të saj (Mat. 7:16-20).
Ky ndryshim brenda njeriut mund të shikohet
në tri mënyra të ndryshme:
1. Ai është një ndryshim në natyrë. Tek Romakët 8:7-8 na tregohet se jobesimtari
është nën sundimin e natyrës mëkatare të vet. Pali thotë se ai është vërtet skllav i mëkatit
(Rom. 6:6,17,20). Këtë natyrë e ka
trashëguar prej Adamit, nëpërmjet rebelimit dhe mosbindjes së tij (Rom. 5:12-19).
Ai është i korruptuar në zemër dhe nuk
mund ta kënaqë Perëndinë. Lindja e re
nëpërmjet farës së fjalës së Perëndisë dhe veprimit të Frymës së Shenjtë i jep
njeriut, thellë në qenien e tij, një natyrë të re. Është pikërisht kjo natyrë natyra e Krishtit.
Kështu njeriu fillon të ndryshojë. Për shembull, në vend që ta dojë padrejtësinë,
ai tani fillon ta dojë drejtësinë. Kur
njeriu bëhet besimtar Perëndia e shpall atë të drejtë në Krisht (Rom. 5:19),
dhe nëpërmjet rilindjes frymërore Zoti e bën këtë drejtësi pjesë të
natyrës së tij. Tek 1 Pjetri 2:24 na
thuhet se qëllimi i punës së Jezuit në kryq ishte që ne besimtarë të vdesim
ndaj mëkateve dhe të rrojmë për drejtësi. Njeriu bëhet i drejtë, i drejtë në
praktikë, i drejtë në natyrën e tij.
Kësaj nuk mund t’i shpëtojë. Njeriu fillon ta dojë drejtësinë dhe ta
urrejë të keqen (Ps. 45:7). Të gënjyerit
ndryshohet në të thënët e së vërtetës. Pushon të vjedhurit. Ndalon të mashtruarit. Të pasurit e Krishtit tek vetja i bën të
mundura gjithë këto ndryshime. Kështu e
zbulon vetveten Krishti tek besimtari.
2. Ai është një ndryshim karakteri. Tek Galatasit 5:19-23 na përshkruhet ky
ndryshim. Së pari, jepet lista e
mëkateve që karakterizojnë jetën e njeriut para kthimit në besimtar. Kur ndodh kthimi kemi një ndryshim gradual,
fillojmë t’i shohim frutat e Frymës në jetën e tij – një karakter me cilësitë e
dashurisë, gëzimit, paqes, zemërgjerësisë, mirëdashjes, mirësisë, besnikërisë,
zemërbutësisë dhe vetëpërmbajtjes. Urrejtja
kthehet në dashuri. Dëshira për
hakmarrje kthehet në dëshirë për pajtim. Njeriu hidhnak dhe inatçi fillon të falë. Marrëdhëniet e prishura fillojnë të ndreqen. Gjaknxehtësia kthehet në durim etj.
3. Ai rezulton në një ndryshim dëshirash. Njeriu tregon se ka dëshira të reja, kërkesa
të reja. Ai ka një dëshirë të natyrshme
për punët e Perëndisë, ka dëshira të cilat nuk i ka pasur kurrë më parë; ka dëshirë
për lutje; ka uri për fjalën; ka dëshirë për shoqëri me besimtarë të tjerë. Dëshirat e vjetra që ai kishte më parë për
botën, shoqërinë dhe ato gjëra që e tërhiqnin më parë fillojnë të humbasin
dalngadalë. Vendet ku shkonte shpesh më
parë, nuk e interesojnë më. Veset e tij
fillojnë të thyhen dalngadalë. Ai fillon
të kuptojë se pangopësia dhe lakmia janë të kota dhe fillon t’ia besojë
Perëndisë plotësimin e gjithë nevojave (Mat. 6:19-34). Ai e di tani se asgjë në këtë botë nuk mund t’ia
plotësojë nevojat e brendshme të zemrës së tij. Ai nuk ndien më kënaqësi në ato gjëra për të
cilat dikur drithërohej. Tani dëshira e
tij e re është Krishti. Zemra e tij ndien
kënaqësi të plotë vetëm me të.
Këtë e përmbledh apostull Gjoni kështu:
“Mos e doni botën, as gjërat që janë
në botë. Në qoftë se ndokush do botën,
dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka, që është në botë, dëshirimi i
mishit, dëshirimi i syve dhe fodullëku i jetës, nuk është nga Ati, por është nga
bota. Dhe bota kalon me dëshirimi i saj;
por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet në përjetësi”. (1 Gjoni 2:15-17)
Zoti na ka dhënë një natyrë të re, që
në mënyrë të natyrshme e do Perëndinë, fillon ta urrejë mëkatin dhe e
dëshiron drejtësinë. Ai na e ka shkruar
ligjin e tij në zemrat tona (Heb. 8:10). Kjo nuk mund të rrijë pa shprehur veten në
jetën e besimtarit. Tani në vend të
mosbindjes është bindja ajo që është e natyrshme për besimtarin.
Duhet
theksuar që një pohim i besimit në Jezuin që nuk i jep këto ndryshime nuk është
një rilindje e vërtetë. Lexojmë në Dhiatën e Re se pati
disa njerëz që thoshin se besonin në Jezuin, por është e qartë se ata nuk ishin
vërtet të lindur sërisht. Për shembull,
Simon magjistari tha se besonte dhe madje edhe ishte pagëzuar, por cilat ishin
motivet e tij të vërteta? Vetëm të
fitonte pushtet e fuqi për vete! (Vep. 8:13,18-23). Vetëm shprehja e besimit ndaj Jezuit nuk
provon se ka ndodhur rilindja e vërtetë frymërore.
Sëpata godet në rrënjë të pemës
Sidoqoftë, Perëndia nuk do vetëm që të na
japë një natyrë të re si ajo e Krishtit. Në atë që bëri Krishti në kryq, rrënjëve të
mëkatit në natyrën tonë iu dha një goditje vdekjeprurëse. Perëndia jo vetëm që e dërgoi Krishtin drejt kryqit
që ne të mund të marrim falje për mëkatet tona, por gjithashtu edhe për ta
shkatërruar pushtetin e mëkatit (Rom. 6:5-14, 8:3).
Kur vdiq Krishti në kryq, ai bëri gjithçka
që ishte e nevojshme që ne ta gjenim faljen për mëkatet tona, dhe për t’i marrë
pastrimin e çlirimin prej pushtetit të mëkatit (1 Gjoni 1:9, Gjoni 8:34-36,
Rom. 6:14). Ai i mbajti mëkatet tona, në
mënyrë që ne ta gjenim faljen, dhe e
theu edhe pushtetin e mëkatit, edhe atë të Satanit. Ai u ngjall së vdekuri dhe sot është i gjallë
në mënyrë që t’i realizojë këto të vërteta nëpërmjet fuqisë së Perëndisë në
jetën e të gjithëve që vërtet besojnë në të.
Kështu pra, s’ka arsye pse një besimtar të
jetojë nën zgjedhën e mëkatit. Është
thyer pushteti i tij. Dëgjoni se si e thekson Pali këtë:
“Mëkati nuk do të zotërojë më mbi ju…’ (Rom. 6:14)
Është një shtrembërim i ungjillit në qoftë
se besimtarët jetojnë nën zgjedhën e mëkatit. Krishti vdiq për ta thyer pushtetin e tij dhe
për ta ndryshuar natyrën e njeriut në një natyrë që bëhet praktikisht e drejtë
dhe e shkëputur prej zgjedhës së mëkatit. Prandaj dhe Pali, tek Romakët kap.6,
argumenton se ne kemi vdekur ndaj mëkatit dhe nuk duhet të jetojmë më në të dhe
nën pushtetin e tij.
Natyrisht që nuk po themi këtu se një
besimtar nuk mëkaton kurrë, por se mëkati, ky faktor që dikur ia pushtonte
jetën e ka humbur pushtetin e tij. Tek 1
Gjoni 3:8 na bëhet e qartë se
besimtari i vërtetë nuk e ka më zakon të jetojë në mëkat apo nën zgjedhën e
tij. Nëpërmjet ungjillit, njeriut i
është dhënë rruga në të cilën do të ndryshojë natyra e tij dhe në të cilën do
të thyhet pushteti i mëkatit.
Natyra e re dhe natyra e vjetër
Tek Efesianët 4:20-24 na thuhet për dy
natyrat, njërën mëkatare të vjetër dhe tjetrën e re dhe të ngjashme me atë të
Krishtit. Këtu Pali na inkurajon ta
veshim natyrën e re dhe të mos jetojmë më sipas natyrës së vjetër:
“…për sa i përket sjelljes se mëparshme,
të zhvishni njeriun e vjetër që prishet sipas epsheve mashtruese, dhe të përtëriheni
në frymën e mendjes suaj dhe të vishni njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë
në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës”. (Efes. 4:22-24)
“Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse ju
e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij, edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet
në njohurinë, sipas shembullit të atij që e krijoi…” (Kol. 3:9-10)
Natyra e re duhet të rritet brenda nesh
dhe, ndërsa rritet, ajo bëhet më e fortë se sa natyra e vjetër e cila
dalngadalë fillon t’i humbasë fuqinë dhe pushtetin e saj. Kështu që natyra e re fillon të korrë fitore
mbi mëkatin. Natyra e re ushqehet,
rritet dhe forcohet me anë të bindjes, leximit të Biblës, lutjes, shoqërie me
besimtarë të tjerë, adhurimit etj. Kjo
çon në mënyrë mjaft të natyrshme në procesin e pastrimit dhe shenjtërimit të
jetës së besimtarit nga natyra e vjetër.
Amen😇
ReplyDeleteFaleminderit! 😀
Delete