Copyright ©
2019 Michael A. Brown
Mund të mendohet se, në qoftë se njeriu
përpiqet aq sa duhet për të zbatuar një sërë rregullash morale apo shpirtërore,
atëherë, ndoshta, kjo gjë mund të ketë efekt në këtë ndryshim të brendshëm në
zemrën e tij dhe ai mund të bëhet kështu një njeri i ri. Kjo është përpjekja që bën feja për ta
ndryshuar njeriun. Njeriu fetar e kupton
se ka një problem dhe përpiqet që me forcat e tij ta ndryshojë veten.
Sidoqoftë, siç do ta shikojmë edhe në këtë
blog, Bibla na e thotë qartë se ky ndryshim në natyrën e brendshme është diçka
që njeriu nuk mund ta bëjë, edhe sikur të jetë fetar i madh. Kjo është një punë që vetëm Perëndia mund ta bëjë.
Vetë njeriu nuk mund ta bëjë.
Sado e madhe qoftë dëshira e tij, ai do ta përjetojë vetëm mjerimin e
dështimit. Këtë s’mund ta bëjë as feja,
as edhe dëshira për t’i pranuar dhe zbatuar mësimet morale të Biblës dhe as
përpjekjet për ta zbatuar ligjin që na e dha Perëndia.
Dhjetë
Urdhërimet
Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia i dha ligjin
dhe urdhërimet e tij. Më të njohurat
prej tyre janë Dhjetë Urdhërimet e shkruara tek Eksodi 20:2-17 të cilat i
shohim të përsëriten edhe tek Ligji i Përtërirë 5:6-21. Ato po i japim më poshtë:
1.
Mos kini asnjë perëndi tjetër para Zotit.
2.
Mos bëni dhe mos adhuroni idhujt.
3.
Mos e përdorni kot emrin e Zotit.
4.
Mbajeni ditën e Sabatit si ditë të shenjtë.
5.
Nderojini babanë dhe nënën tuaj.
6.
Mos vrisni.
7.
Mos bëni tradhti bashkëshortore.
8.
Mos vidhni.
9.
Mos bëni dëshmi të rreme.
10.
Mos lakmoni pronën e tjetrit.
Këto ishin urdhërimet që Perëndia ia dha kombit
të Izraelit. Ato janë shprehje e
standardeve që i kërkon ai dhe për këtë arsye edhe e karakterit moral të
tij. Në qoftë se dikush mund t’i
zbatonte këto urdhërime në mënyrë të përsosur, atëherë ai do të ishte i drejtë
në sy të Perëndisë dhe do të pranohej prej tij.
Sidoqoftë, Perëndia e dinte se njerëzit nuk do të mund t’i zbatonin ato,
kështu që ai ua dha një sistem flijimesh me anë të të cilave mund të faleshin
mëkatet e tyre.
Ka shumë njerëz që i marrin këto urdhërime
dhe i përdorin ato (ashtu si dhe hebrenjtë) si bazë e jetës morale të tyre,
duke u përpjekur t’i zbatojnë me përpikërinë më të madhe, me shpresën se mund
të bëjnë një jetë të mirë, të moralshme dhe të ndershme në këtë botë dhe për
këtë të pranohen prej Perëndisë.
Sidoqoftë, kur i lexojmë dhe mendohemi mirë mbi këto urdhërime duke qenë
të sinqertë ndaj vetes, do të shohim mjaft mirë dhe qartë se i kemi thyer ato
dhe se nuk ka qoftë edhe një njeri të vetëm që t’i ketë zbatuar ato në mënyrë
të përsosur dhe se, për më tepër, ne nuk mund t’i zbatojmë ato.
“Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin,
por e shkel në një pike të vetme, është fajtor në të gjitha. Sepse ai që ka thënë: ‘Mos shkel kurorën’, ka
thënë edhe: ‘Mos vrit’. Por nëse nuk
shkel kurorën, por vret, je bërë shkelës i ligjit”. (Jak. 2:10-11)
Dashuria:
përmbushja e ligjit
Kur i shqyrtojmë Dhjetë Urdhërimet, shohim
se ka dy lloj urdhërimesh: së pari, ato që kanë të bëjnë me Perëndinë (katër të
parat) dhe së dyti, ato që kanë të bëjnë me njerëz të tjerë (gjashtë të
fundit). Prandaj edhe Jezui na thotë tek
Mateu 22:34-40 se urdhërimet mund të përmblidhen me dy fraza: “Duaje Perëndinë”
dhe “Duaje njeriun”. Këtë e përforcon
Pali tek Romakët 13:9-10, ku
thotë se dashuria është përmbushja e ligjit:
“Sepse kjo: ‘Mos shkel kurorë, mos
vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rreme, mos lakmo’, dhe në pastë ndonjë
urdhërim tjetër, përmblidhet në këtë fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd si vetveten!’. Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria,
pra, është përmbushja e ligjit”. (Rom. 13:9-10)
Argumentimi është i thjeshtë dhe i
qartë. Në qoftë se je i mbushur me
dashuri për Perëndinë do t’i zbatosh katër të parat në mënyrë të përsosur; në
qoftë se je i mbushur me dashuri për të gjithë njerëzit, do t’i zbatosh gjashtë
të fundit në mënyrë të përsosur. Prej
kësaj rrjedh edhe fakti që dashuria është përmbushja e ligjit.
Por, natyrisht, ne e dimë nga vetë përvoja
jonë e përditshme se ne nuk e duam në mënyrë të përsosur as Perëndinë dhe as
njeriun. Kjo është edhe arsyeja pse i
thyejmë urdhërimet. Dashuria e përsosur,
që e përmbush ligjin, nuk gjendet tek ne, dmth në natyrën tonë njerëzore të
brendshme. Me forcat tona, nuk mund ta
zbatojmë dot ligjin.
Ndërgjegjësimi
për mëkatin
Apostull Pali na mëson se me anë të ligjit
arrijmë të njohim mëkatin, dmth mund të kuptojmë se kemi një natyrë
mëkatare, se ka diçka në zemrën tonë që na pengon t’u bindemi urdhërimeve të
Perëndisë:
“…sepse me anë të ligjit vjen njohja
e mëkatit”. (Rom.
3:20)
“Mëkatin nuk do ta kisha njohur,
veçse me anë të ligjit”. (Rom. 7:7)
“…por mëkati, që të duket mëkat, me
anë të së mirës më pruri vdekjen, që mëkati të bëhet edhe më tepër mëkat
nëpërmjet urdhërimit”. (Rom. 7:13)
Ai argumenton se, në përpjekjet tona për
ta zbatuar ligjin, na bëhet e qartë (në qoftë se tregohemi të sinqertë me veten
tonë) se nuk është e mundur që ne ta zbatojmë atë. Kërkesat e ligjit janë të standardeve të
paarritshme. Kështu ne ndërgjegjësohemi
për faktin se ka diçka në ne, në natyrën tonë, që na pengon ta zbatojmë atë në
mënyrë të përkryer, dmth ndërgjegjësohemi për faktin që, në brendësinë tonë,
ekziston ky parim i mëkatit; që ne kemi një natyrë mëkatare:
“Sepse mendja e mishit është armiqësi ndaj
Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i
pëlqejnë Perëndisë”.
(Rom. 8:7-8)
Dhe në një përkthim tjetër, këto fjalë shprehen kështu:
“Njeriu prej natyrës ngrihet kundër
Perëndisë... në të vërtetë, përjashtohet mundësia që ndokush të plotësojë
vullnetin e Perëndisë”.
Mëkati:
diçka e brendshme
Pali thotë diçka mjaft interesante tek
Romakët 7:7, ku thotë se ai nuk do të kishte kuptuar se çfarë ishte mëkati,
sikur të mos e kishte mësuar këtë nëpërmjet ligjit dhe se nuk do ta kishte
mësuar se ç’ishte lakmia sikur ligji të mos thoshte: “mos lakmo”.[1] Çfarë nënkuptonte ai me këtë?
Para kthimit të tij në besimtar, Pali
kishte qenë fetar i madh, rritur dhe brumosur me mësimet fetare çifute të
Dhiatës së Vjetër qysh në fëmijërinë e tij.
Ai ishte ekspert i vërtetë për sa i përket ligjit të Perëndisë. Sidoqoftë, besonin hebrenjtë (ashtu si dhe
shumë njerëz fetarë të ditëve tona) se në qoftë se jeta e jashtme ishte konform
ligjit të Perëndisë (sikur ligji të merrej vetëm me anën e jashtme të jetesës),
atëherë ishte kjo diçka e mjaftueshme që njeriu ta kënaqte Perëndinë. Në qoftë se do të arrije të bëje që jeta jote
të dukej se ishte konform ligjit të Perëndisë, atëherë do të ishe i pranueshëm
nga Perëndia si dhe nga njerëzit.
Sidoqoftë, Pali e merr këtu urdhërimin e
dhjetë për të na e treguar faktin që mëkati është diçka e brendshme. Gjashtë urdhërimet e fundit kanë të bëjnë me
marrëdhëniet midis njerëzve dhe pesë të parat nga këto të gjashta kanë të bëjnë
me veprime të jashtme p.sh.: “mos vrit”, “mos vidh”, “mos bëni dëshmi të rreme”
etj. Të gjitha këto janë veprime të
jashtme. Sidoqoftë, urdhërimi i dhjetë
merret me mëkatin e brendshëm të të lakmuarit.
Të lakmuarit nuk është veprim i jashtëm, por një dëshirë e brendshme e
zemrës (që mund të të çojë ose jo në mëkate të jashtme të tilla si p.sh.
vjedhja).
Prej këtej, Pali nxjerr përfundimin se
mëkati nuk është çështje që ka të bëjë me veprimet e jashtme, por problem i
zemrës që i shkakton veprimet e jashtme të mëkatshme: “Por mëkati, duke marrë shkas nga ky urdhërim, ngjalli në mua çdo lakmi”.
(Rom. 7:8). Me fjalë të tjera, mëkatet e
jashtme dalin nga zemra dhe e kanë burimin nga ajo. Zemrat tona janë mëkatare, ne kemi një natyrë
mëkatare. Prandaj edhe Jezui e Gjoni
thonë ato fjalë mbi epshin dhe urrejtjen tek Mateu 5:28 dhe 1 Gjoni 3:15, dhe Jezui
na mëson tek Marku 7:20-23 se mëkati del prej zemrës (siç e pamë edhe në blogun
e mëparshëm). Dhe është pikërisht
shqyrtimi i ligjit ai që na bën ta kuptojmë zemrën tonë.
Paaftësia
për ta ndryshuar veten
“Sepse ne e dimë se ligji është
frymëror, por unë jam mishëror, i shitur nën mëkatin. Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk
bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.
Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë jam në një zë me ligjin se është i
mirë.
Por tani nuk jam më unë që veproj,
por mëkati që banon në mua. Sepse unë e
di se në mua, domethënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë, sepse dëshira
ndodhet tek unë, por të bëj të mirën nuk e gjej. Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por
të keqen që s’dua, atë bëj. Edhe, në
qoftë se bëj atë që nuk dua, s’jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që rri
në mua.
Gjej, pra, këtë ligj, se kur unë dua
të bëj të mirën, e keqja ndodhet në mua.
Sepse unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të
brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit
të mendjes sime dhe që më bën rob të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e
mia. Oh, i mjeri njeri që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” (Rom. 7:14-24)
Në këto vargje na flitet për njeriun që
është i bindur nga vërtetësia e faktit se ai është mëkatar dhe se ligji i
Perëndisë është i drejtë dhe i mirë, dhe që përpiqet ta zbatojë atë sikur kjo
të ishte mënyra me anë të së cilës ai do ta shpëtojë veten dhe do të bëjë që të
pranohet nga Perëndia. Ai e di shumë mirë
që nuk është gjë tjetër veçse mëkatar dhe përpiqet të bëjë çmos që ta zbatojë ligjin
me forcat e tij, sa më mirë që të mundet, në mënyrë që ta heqë qafe mëkatin e
tij.
Por mund të lexojmë për gjendjen e
vajtueshme të tij në vargjet 15-19. Sa
më tepër që përpiqet ta zbatojë ligjin, aq më tepër bindet se nuk mund ta
zbatojë, por, përkundrazi, vazhdon ta thyejë atë. Të mirën që ai kërkon ta bëjë (të veprojë
sipas ligjit), nuk mund ta bëjë; dhe të keqen që nuk dëshiron ta bëjë (thyerjen
e ligjit), shikon se e bën vazhdimisht.
Natyra mëkatare e vet e pengon atë ta zbatojë ligjin, edhe pse ai kaq
shumë dëshiron që ta zbatojë! (vv.20-23).
Ai e kupton se nuk mund ta zbatojë ligjin dhe kështu nuk mund ta
ndryshojë vetveten me forcat e tij. Ai
mbetet dështak i mjerë: “Oh, i mjeri njeri
që jam!” (v.24). Kurrë s’e ndryshon
dot ligji zemrën e njeriut!
Rrugëzgjidhja në ungjill
Kështu, në qoftë se ligji dhe përpjekjet e
njeriut për ta zbatuar atë nuk mund ta ndryshojnë njeriun, atëherë na mbetet të
kërkojmë diku gjetkë rrugëzgjidhjen për problemin tonë. Dhe pikërisht këtu ne vijmë tek ungjilli si e
vetmja gjë që mund të na e japë zgjidhjen e vërtetë dhe përfundimtare. Pali tha se qëllimi i ligjit ishte të na
çonte drejt Krishtit (Gal. 3:24).
Nëpërmjet ligjit Perëndia na tregon se kemi një natyrë mëkatare dhe,
pastaj, ai na çon drejt Krishtit si e vetmja rrugëzgjidhje. Atë që ligji nuk mundi ta bënte, e bëri vetë
Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit (Rom. 8:3), duke bërë kështu të mundur që,
thellë në zemrën e njeriut, të ndodhë një ndryshim.
Blogu më pas tregon se si arrihet
pikërisht një gjë e tillë, si sëpata godet thellë në rrënjë të natyrës mëkatare
të njeriut, dhe si kryhet ky ndryshim në jetën e një besimtari në Jezuin.
[1]
Këtu tek Romakët 7:7 Pali i referohet urdhërimit të dhjetë tek Eksodi
20:17. Ai përdor të njëjtën fjalë greke epithumeo qe përdoret tek Eksodi 20:17 në
versionin Septuagint të Dhiatës së Vjetër. Kjo fjalë do të thotë “të dëshirosh diçka me
gjithë zemër” dhe kështu përkthehet herë si “dëshirë” dhe herë si “lakmi” ose
“epsh”. Konteksti i fjalëve tek Eksodi
20:17 na sugjeron qe të përkthehet më mirë si “lakmi” dhe jo “epsh”. Megjithatë, kuptohet që i njëjti argumentim që
përdor Pali, që lakmia është mëkat i përbrendshëm i zemrës dhe jo veprim i
jashtëm, mund të përdoret edhe në lidhje me epshin.
No comments:
Post a Comment