05 Nevoja për besimin si dhe pendimin


Copyright © 2019 Michael A. Brown
      Kështu, cilat janë kushtet që i ka vendosur Perëndia për realizimin e efektshëm të këtij mesazhi për rilindjen në jetën e një njeriu?  Çfarë duhet të bëjë njeriu që në jetën e tij të ndodhin ndryshimet që përshkruhen në blogjet e mësipërme?  Ç’kushte duhet të plotësojë ai që ta fitojë këtë natyrë të re në zemër dhe ta shohë thyerjen e pushtetit të mëkatit në jetën e tij?  Ky blog merret me shqyrtimin e dy kushteve që duhet të plotësohen për këtë gjë.
      Dhiata e Re na e bën të qartë se ka dy gjëra themelore që duhet t’i kërkojmë në jetën e atyre që quhen besimtarë në Jezu Krishtin.  Këto janë kthimi tek Perëndia me pendim dhe besimi në Zotin Jezu Krisht (Veprat 20:21).  Të dyja këto janë thelbësore për të pasur një realizim të plotë të mesazhit të ungjillit në jetën e njeriut.

Nevoja për besim

      Kushti i parë që ne duhet ta plotësojmë, para se ungjilli të ketë efektet e tij në jetën tonë, është ta besojmë ungjillin.  Kjo, sigurisht, që është diçka e thjeshtë dhe e kuptueshme.  Në qoftë se nuk e besojmë ungjillin, natyrisht që ai nuk do të ketë asnjë efekt ndaj nesh.
      Por çfarë nënkuptojmë saktësisht kur themi se një njeri duhet të besojë ungjillin dhe Jezu Krishtin?  Cili është të besuarit e vërtetë?  Mos do të thotë kjo që dikush mund të thotë se beson në Krishtin dhe pastaj t’i largohet e ta bëjë jetën ashtu si i pëlqen atij?  A është ai besimtar i vërtetë?  A është e mundur që një njeri të besojë vërtet në Jezuin dhe që ky besim të mos ketë efekt në jetën e tij?
      Fjala greke që përdoret në Dhiatën e Re dhe që përkthehet “besoj” është pisteuo.  Ajo do të thotë “të besosh”, “të jesh i bindur për...” ose “të vendosësh besimin tek...”, dhe nënkupton “përkushtim ndaj…”, “mbështetje tek...”, në vend të një besimi thjesht mendor.
      Kështu pra, nuk e kemi fjalën vetëm për një besim mendor, kur dikush i kupton faktet e ungjillit në mendjen e tij por jo në zemrën e tij.  Është një e vërtetë e trishtueshme që një person mund të kuptojë çdo të vërtetë të Biblës në mendjen e tij dhe prapëseprapë të mos e ketë aspak përvojën e rilindjes në zemrën e tij. Kështu, edhe pse ai “beson”, ungjilli nuk ka asnjë efekt në jetën e tij.
      Këtu e kemi fjalën për një besim që njeriu jo që e ka vetëm në mendjen e tij, por edhe që e ka pranuar me gjithë zemër dhe të cilit i nënshtrohet me tërë qenien e tij.  Ai është një besim veprues e aktiv, një besim praktik, që ka të bëjë me realitetin e jetës së përditshme të njeriut.  Jo një besim ndaj Perëndisë vetëm kur gjithçka shkon në rregull, pa asnjë problem, por një besim ndaj tij edhe kur të jetuarit bëhet i vështirë dhe plot probleme reale e praktike.  Dhe, vërtet, në vështirësi të tilla besimi i vërtetë as epet dhe as thyhet si besimi i rremë.  Por në fakt forcohet dhe rritet ndërsa njeriu zbulon më tepër nga dashuria dhe besnikëria e Perëndisë gjatë këtyre sprovave.  Ai është një besim që mund të jetojë në këtë botë dhe të mposhtë e kapërcejë çfarëdo lloj sfide të cilën e lejon Perëndia me urtësinë e tij.

Shpëtimtar dhe Zot

      Ne duhet të mos harrojmë gjithashtu se tek kush besojmë, dmth është e nevojshme që të kuptojmë se kush është Jezui.  Shumë herë (me të drejtë) ai predikohet si Shpëtimtari i botës, fakt ky që është i vërtetë.  Sidoqoftë, a nuk është njëkohësisht edhe Zot ai?  Në qoftë se e kemi pranuar atë, mos vallë e kemi pranuar vetëm si Shpëtimtarin tonë, apo e kemi vënë edhe në vendin e duhur si Zotin e Zotëruesin e jetës sonë?  Ne e pranojmë atë si Shpëtimtarin që na çliroi nga mëkati, por a jemi gati të biem në gjunjë para tij, t’i dorëzojmë atij gjithçka dhe ta ndjekim çdo ditë të jetës sonë?  Fjalët e para të Jezuit ndaj dishepujve të tij nuk ishin: “Besoni tek unë!” por “Ejani pas meje!” dhe fjalët e tij të fundit para se të ngrihej në qiell nuk ishin: “Shkoni predikoni dhe bëni që njerëzit të besojnë tek unë!” por “Shkoni dhe bëni dishepuj!”.
      Është më se e qartë dhe s’ka diskutim që, për të pasur një efekt të plotë të mesazhit të ungjillit në jetën e individit, Jezui duhet të jetë Zoti i jetës së tij.  Ne duhet t’ia dorëzojmë plotësisht veten atij sipas fjalëve të apostull Palit:
“Ju lutem, pra, o vëllezër, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, t’i paraqitni trupat tuaj si fli të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë, që është shërbesa juaj e mençur.  Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri, dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë”. (Rom. 12:1-2)
      Vetëm kur jeta e një njeriu është vërtet i dorëzuar dhe i nënshtruar ndaj Zotit, atëherë mund të shihet lavdia e Perëndisë në jetën e këtij njeriu si kurrë më parë.  Atëherë Perëndia është i lirë të punojë plotësisht për t’i përmbushur qëllimet dhe vullnetin e tij në jetën dhe karakterin e njeriut.

Nevoja për pendimin

      Një nga problemet që po e moleps Kishën e Jezu Krishtit në ditët e sotme dhe që rezulton në një cektësi të madhe në jetën e atyre që e deklarojnë veten për besimtarë është fakti që mesazhi “Pendohuni dhe besoni!” shpesh po ndryshohet në “Vetëm besoni!”  Për arsye nga më të ndryshmet, duket se mesazhi për pendimin prej mëkateve nuk bëhet i qartë dhe kthehet shpesh vetëm në një shtojcë ose edhe lihet fare mënjanë.  Sidoqoftë, shohim se pendimi ishte guri i qoshes në mesazhin e Gjon Pagëzorit (Luka 3:3, Mat. 3:2), në atë të vetë Zotit Jezu (Mat. 4:17), të apostull Pjetrit (Vep. 2:38) si dhe të apostull Palit (Vep. 17:30). Mesazhi biblik është: “Pendohuni dhe besoni!”TË DYJAT.
      Në qoftë se predikojmë një mesazh të tillë si “vetëm besoni”, është mjaft e lehtë të mbledhim turma njerëzish për të na dëgjuar dhe mbase edhe për të pasur një reagim ndaj mesazhit.  Ky lloj mesazhi nuk u kërkon njerëzve asgjë dhe përtypet mjaft kollaj prej tyre, por ka një efekt të vogël në ta.  Mesazhi i Perëndisë është pendohuni ashtu si dhe besoni.  Në fakt, ashtu si thotë Pali tek Veprat 17:30, Perëndia urdhëron cilindo nga njerëzit, kudo që të jenë, të pendohen.  Mesazhi “vetëm besoni” nuk është ungjilli i vërtetë!  Vetë Zoti Jezu Krisht nuk pati frikë t’ua bënte njerëzve të vështirë të ndjekurit e tij.
      Kështu pra, çfarë është pendimi?  Fjala greke metanoeo, që e përdor Bibla, do të thotë “ndryshim i mendjes dhe i synimit” (Vep. 20:21), dhe fjala epistrefo do të thotë “kthim dhe ecje në drejtimin e kundërt” (Vep. 11:21).  Kështu njeriu pendohet kur vendos që të mos vazhdojë më në rrugën në të cilën ecën bota apo në të cilën ka ecur më parë, por në rrugën e Perëndisë.  Përsëri, ky nuk është vetëm një vendim mendor, por një veprim i vullnetit, veprim që rrjedh si pasojë e një dëshire të brendshme të zemrës.  Është diçka që njeriu e bën me gjithë qenien e tij.  Ai nuk dëshiron më të vazhdojë në rrugën ku ecën bota dhe vendos me gjithë qenien e tij se që këtej e tutje do të ecë në rrugën e Perëndisë.  Siç e shprehu edhe djali plëngprishës: “Do të çohem e do të shkoj tek im atë...”
      Pendimi nuk është një vendim që merret vetëm një herë dhe gjithçka mbaron.  Ai është një proces i vazhdueshëm që vepron në jetën e përditshme të njeriut.  Të larguarit prej mëkatit dhe të çliruarit prej pushtetit të tij është diçka që duhet mësuar.  Kjo është diçka që nuk ndodh dhe mbaron menjëherë sapo fillon njeriu të besojë në Jezu Krishtin.  Prandaj flasim edhe për të jetuarit në pendim dhe besim.
      Në qoftë se njeriu nuk është penduar vërtet prej mëkatit, atëherë sigurisht që do të vazhdojë në mëkat.  Ai nuk do të heqë dorë prej tij, kurrë nuk do të çlirohet prej tij dhe kështu mëkati do të vazhdojë ta mbajë nën zgjedhë dhe ta kontrollojë jetën e tij.  Njeriu do të vazhdojë t’i ndjekë rrugët e filozofitë e kësaj bote dhe kurrë nuk do të jetë i lirë ta ndjekë Krishtin.  Çdo dëshirë e tij për t’i ndjekur rrugët e Perëndisë do të mbytet nga dëshira për mëkatin (dhe sigurisht që mëkati do të triumfojë gjithmonë!).  Ai do të rrëshqasë gjithmonë e vazhdimisht pas deklaratës së tij se është besimtar apo pas çdo ripërkushtimi të jetës së tij ndaj Krishtit.  Nuk ka kthim të vërtetë dhe të plotë në besim në qoftë se nuk ka pendim.
      Në qoftë se e dëshirojmë suksesin e ungjillit, në qoftë se duam që t’i shohim njerëzit të bëhen besimtarë të vërtetë tek të cilët të jetë duke u formuar natyra e Krishtit, atëherë le të predikojmë me guxim mesazhin e plotë të Biblës: “pendohuni dhe besoni”.


No comments:

Post a Comment