01 Thelbi i problemit: Natyra mëkatare

Copyright © 2019 Michael A. Brown
“Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, marrëzia.  Gjithë këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun”. (Marku 7:21-23)
      Zoti Jezu këtu na tregon mjaft qartë se problemi më i madh i njeriut është çështje shpirtërore/morale.  Nuk është çështje ekonomike apo politike; nuk është problem i nivelit të ulët arsimor as i mungesës së arritjeve në fushën shkencore, as edhe problem i shkaktuar thjesht prej rrethanave në të cilat ndodhet individi.  Është ky problem i zemrës.
      Problemet e mëdha të jetës sonë nuk do t’i zgjidhim thjesht duke pasur një ekonomi më të mirë, edhe sikur kjo të jetë e nevojshme apo e dëshirueshme.  Ka probleme bazë që kurrë nuk do të zgjidhen duke pasur më tepër të mira materiale.  Ato nuk do të zgjidhen as me ndjekjen e ndonjë filozofie në jetën tonë, as me zbatimin e ndonjë serie rregullash (edhe pse kjo është gjë e mirë), as edhe me përpjekjen që të imponohet mbi njeriun apo shoqërinë një sistem social, filozofik, ekonomik e politik dhe duke u përpjekur që ky të ketë sukses dhe ta ndryshojë njeriun me forcë.  Këto do të zgjidhen vetëm duke e ndryshuar vetë njeriun, duke e ndryshuar zemrën e tij. Njeriun nuk mund ta ndryshojmë nga jashtë, atë duhet ta ndryshojmë nga brenda.  Problemet e shoqërisë sonë do t’i zgjidhim vërtet, kur të kemi diçka që t’i ndryshojë njerëzit që përbëjnë shoqërinë tonë dhe që shkaktojnë problemet që i kemi.
      Me gjithë arritjet e mëdha të njerëzimit në fushat e shkencës, letërsisë dhe artit, njeriut i mbetet përsëri një problem për të zgjidhur, problem ky që nuk mund të mënjanohet lehtë.  Teoria e evolucionit na tregon se njeriu po evoluon në mënyrë të vazhdueshme dhe po përmirësohet gjithnjë e më shumë.  Por kjo teori nuk mund të na e shpjegojë faktin se pse, qysh prej kohës që njeriu erdhi në këtë botë, ka shumë gjëra tek ai që nuk kanë ndryshuar kurrë.  Dhe sado të përpiqet ai, ato nuk mund të ndryshohen!  As ka evoluar dhe as po evoluon zemra e njeriut; nga brezi në brez, ajo mbetet ashtu siç ka qenë gjithmonë.
      Njeriu është i aftë të bëjë dhe të arrijë gjëra të mëdha, por ai e ka treguar se është i aftë gjithashtu të bëjë edhe të këqija të mëdha.  Është pikërisht kjo ajo që Bibla na mëson mbi mëkatin dhe natyrën mëkatare njerëzore.  Ajo na thotë se të gjitha ato që përshkruhen në vargjet që i cituam më sipër nuk janë thjesht pasojë e zgjedhjes së qëllimshme dhe e veprimeve të jashtme të njeriut.  Ajo na thotë se janë shfaqje dhe rezultat i asaj çfarë është njeriu në vetvete, në natyrën e tij të brendshme.  Ato rrjedhin prej zemrës së tij.  Albert Ajnshtajni ka thënë: “Problemi i vërtetë qëndron në zemrën dhe mendjen e njeriut.  Ky është problem jo fizik por etik.  Ajo që ne na tremb nuk është fuqia e shpërthimit të bombës bërthamore, por fuqia e ligësisë së zemrës së njeriut, fuqia plasëse e saj për të keqen”.
      Është fjala këtu jo për intelektin, vullnetin apo ndjenjat e njeriut, por për zemrën e tij, për natyrën e tij.  Ne i bëjmë këto gjëra (përmendur në citimin nga Marku 7:21-23) thjesht ngaqë kemi lindur me një natyrë që e ka në vetvete farën e të gjitha këtyre.  S’bëhet dot mëkatar njeriu, qenka mëkatar në natyrën e vet.  Veprimet e jashtme të njeriut janë pasojë e asaj çka është në zemrën e tij.  Në qoftë se flet keq, kjo ndodh sepse ka keqësi në zemrën e tij, dhe në qoftë se është imoral, kjo vjen ngaqë zemra e tij është pushtuar prej epshit, e kështu me radhë:
“Sepse ç’ka zemra qet goja”. (Mat. 12:34)
“Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet”. (Mat. 5:28)
      Dhiata e Re e thekson faktin që mëkati s’ka të bëjë thjesht me veprimin e jashtëm mëkatar, por edhe me atë që gjendet brenda në zemër.  Në citimin e mësipërm të Mateut 5:28, Jezui na e bën të qartë se tradhtia bashkëshortore nuk është thjesht veprim i jashtëm, ajo kryhet së pari në zemër dhe është pikërisht ai shkaku që pasohet nga veprimi i jashtëm të tradhtisë bashkëshortore.  Tek 1 Gjoni 3:15, apostull Gjoni flet në të njëjtën mënyrë për qëndrimin e brendshëm të zemrës plot urrejtje që në fakt është vrasja, jo sepse njeriu ka kryer vrasje, por sepse është mëkati i zemrës ai që e përbën rrënjën e veprimit të jashtëm:
“Kushdo që urren vëllanë e tij, është njerivrasës…”
      Këtë mësim apostull Pali e vërteton tek Galatasit 5:19-21 ku shohim të na theksohet prapë fakti se veprimi i jashtëm i mëkatit është pasojë e atij që e quajmë mishin (dmth natyrën mëkatare të njeriut):
“Dhe veprat e mishit janë të shfaqura dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, papastërtia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësia, grindja, xhelozia, zemërimi, rivaliteti, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe të tjera të ngjashme me to”.
      Ai vazhdon të thotë dhe të nxjerrë përfundimin se gjithë njerëzimi i është nënshtruar këtij parimi të mëkatit tek Romakët 3:22-23, ku thotë se të gjithë kanë mëkatuar dhe kanë humbur lavdinë që ua dha Perëndia.  Nuk janë thjesht disa njerëz që kryejnë mëkate të tmerrshme dhe që quhen fajtorë prej gjithë të tjerëve, por jemi të gjithë ne ata që janë mëkatarët.  Ne të gjithë jemi ata që i kanë kryer të gjitha këto, kemi menduar t’i kryejmë ato ndonjëherë apo i kemi në zemër.  Mbase nuk kemi kryer vrasje apo ndonjë mëkat tjetër të tmerrshëm, por të gjithë ne e kemi menduar apo kemi bërë qoftë edhe vetëm një nga gjërat që na përmenden tek Marku 7:21-23 dhe Galatasit 5:19-21.
      Pali vazhdon edhe më tej në analizën e kësaj çështjeje tek Romakët 7:14-19, ku thotë se njeriu është një skllav ndaj mëkatit dhe nuk mund të çlirohet prej tij dhe pushtetit të tij thjesht me dëshirën e vet apo me forcën e vullnetit të vet.  Përpjekjet e tij për të çliruar veten nga ky parim i mëkatit vetëm do të dështojnë.  Ai nuk mund të pushojë së qeni ai që është në natyrën e vet.
      Atëherë kush është rrugëzgjidhja për këtë dilemë në të cilën gjendet njeriu?  Zhvillimi i shkencës?  Jo!  Rrugëzgjidhja do të jetë diçka që të ketë të bëjë me vetë zemrën e njeriut në mënyrë që ai të ndryshohet nga brendaAjo që i nevojitet njeriut është ndryshimi i natyrës së tij, ndryshimi i zemrës së tij.  Ky është një parim i domosdoshëm që duhet zbatuar në jetën e njeriut, në mënyrë që ai të çlirohet nga fuqia e mëkatit.
      Në qoftë se nuk arrihet ky ndryshim, atëherë të gjitha ndryshimet dhe përmirësimet e jashtme janë thjesht një maskë nën të cilën fshihet problemi i vërtetë.  Në qoftë se mendojmë se ndryshimet dhe përmirësimet e jashtme mund t’i zgjidhin vërtet problemet e njeriut, atëherë thjesht e gënjejmë veten.  Kjo është vetëm një formë vetëmashtrimi.  Në fund të fundit, do të vërtetohet se njeriu gjithmonë do të mbetet ai që është dhe do të duket qartë se të gjitha ndryshimet dhe përmirësimet e jashtme nuk do t’ia kenë ndryshuar aspak zemrën, shkakun e problemeve të tij.  Por në qoftë se njeriu ndryshon nga brenda, vetëm atëherë do të duken pasojat në veprimet e tij të jashtme si dhe në mënyrën e tij të jetesës.  Ai do të jetë një njeri krejt i ri.


No comments:

Post a Comment