Copyright ©
2019 Michael A. Brown
Ky blog diskuton për vendin që e zë Fryma
e Shenjtë në punën për të sjellë një njeri tek Krishti në mënyrë që të ndodhin
tek ai ndryshimet për të cilat po flasim. Fryma e Shenjtë jo vetëm që punon në jetën e
një besimtari gjatë kthimit të tij dhe pas këtij kthimi, por punon gjithashtu
edhe për ta çuar këtë njeri drejt Krishtit, para se ai të kthehet.
Por nga e dallojmë dhe si e kuptojmë se
Fryma e Shenjtë punon në jetën e një jobesimtari për ta drejtuar atë tek
Krishti? Çfarë duhet të presim që të
shohim në jetën e një njeriu të tillë? Është
e rëndësishme që këto pyetje t’i diskutojmë duke pasur parasysh që njerëzit
bëjnë nganjëherë pohime të rreme besimi në Krishtin (çfarëdo lloj motivi
paçin), ose që nganjëherë ndryshimet për të cilat kemi folur duket sikur nuk po
ndodhin.
Shenjat që vërtetojnë se po vepron Fryma
e Shenjtë
“Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat,
për drejtësi dhe për gjyq”. (Gjoni
16:8)
Një njeri nuk mund të vijë tek Perëndia pa
qenë më parë i bindur në zemër për mëkatet e tij, qoftë kjo një bindje e madhe
apo e vogël. Perëndia është i shenjtë. Nën dritën e shenjtërisë së Perëndisë njeriu
sheh errësirën e mëkateve të tij. Në
qoftë se ai është duke kërkuar vërtet Perëndinë, do të ketë një ndjenjë
trishtimi e keqardhjeje dhe një dëshirë për pendim thellë në shpirtin e tij. Këtë e bën të qartë Pali:
“Tani po gëzohem, jo sepse u
trishtuat, por sepse u trishtuat për pendim, sepse u trishtuat sipas Perëndisë,
që të mos ju bëhet juve ndonjë dëm nga ne.
Sepse trishtimi sipas Perëndisë, sjell pendim për shpëtim, për të cilin
njeriut nuk i vjen keq… Sepse ja sa
kujdes shkaktoi te ju trishtimi sipas Perëndisë, madje sa fjalë për të kërkuar
ndjesë, sa zemëratë, sa druajtje, sa dëshirë të madhe, sa zell, sa shpagim!”. (2 Kor. 7:9-11)
Së bashku me këtë ne duhet të kërkojmë një
zgjim të ndërgjegjes. Ndërgjegjja bëhet
e ndjeshme dhe njeriu, kur bën mëkat, është i ndërgjegjshëm se ka mëkatuar. Ai nuk mund të mos ndërgjegjësohet për mëkatin
e tij. Të mos ndërgjegjësohesh për
mëkatin do të thotë të vazhdosh të jetosh në errësirë. Ka raste ku kemi vetëm një rrëfim të
përgjithshëm të mëkatit, atëherë lind pyetja a ka ky person një zgjim të
vërtetë? Nganjëherë rrëfimi i përgjithshëm i mëkatit bëhet për t’i shpëtuar
rrëfimit dhe trajtimit të mëkateve të posaçme.
Bibla na thotë: “Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë
zemrën tuaj”. (Jer. 29:13). Njerëzit
mund ta gjejnë vërtet Perëndinë, vetëm kur tregohen të sinqertë me veten. Njeriu nuk mund ta kërkojë Perëndinë vetëm me
gjysmë zemre dhe të ketë shpresë ta gjejë atë apo të ketë këto ndryshime në
jetën e tij. Ata që janë të etur e të
uritur për drejtësinë janë ata të cilëve u jepet (Mat. 5:6). Atëherë si mund ta kërkojmë bekimin e vërtetë
të Perëndisë kur përpiqemi të jetojmë me një dorë në bakllava dhe një dorë në
revani? A është vërtet besimtar një
njeri që përpiqet të jetë edhe për botën edhe për Krishtin? A është e mundur që një njeri, i cili nuk
është penduar vërtet, të presë me të drejtë që në jetën e tij të veprojë fuqia
e ungjillit?
Më tepër se çdo gjë tjetër do të ketë një
pranim dhe kuptim të ungjillit thellë në zemër. Të pranuarit ungjillin vetëm mendërisht nuk ka
për ta ndryshuar kurrë jetën e askujt. Ungjilli
është diçka jetësore dhe jo një mësim apo filozofi që mund të kuptohet thjesht
mendërisht. Njeriu mund ta dijë të
gjithin në mendje dhe prapëseprapë të mos e ketë përvojën e rilindjes në zemrën
e tij. Aftësia e ndonjërit për të
recituar pasazhe të Shkrimeve të Shenjta apo për të ditur pjesë të Biblës nuk
vërteton se jeta e tij ka ndryshuar.
Një njeri që është kthyer vërtet në
besimtar e di që Jezui është rruga e vetme për tek Perëndia. Vetëm ai i mbajti mëkatet tona dhe vdiq që të
na çlironte. Prandaj nuk ka se si të
ketë mbështetje për shpëtim në ikonat dhe hajmalitë, ritet dhe ceremonitë apo
në ndonjë njeri që konsiderohet i shenjtë (qoftë ky i gjallë apo i vdekur). Asnjë nga këto nuk na ndihmon aspak që ta
gjejmë Perëndinë. Të kuptuarit e vërtetë
e ungjillit si bazë për shpëtim nuk mund të përzihet me gjëra të tjera. Vërtet në jetën e besimtarëve të hershëm tek
Veprat vëmë re se ata i ishin të përkushtuar plotësisht Jezuit, madje edhe nga
përndjekjet nuk trembeshin. Ata e donin
atë në mënyrë sipërore dhe iu nënshtruan e përkushtuan pa rezerva atij dhe
vetëm atij.
Kur Fryma e Shenjtë vepron vërtet në jetën
e një njeriu për ta sjellë atë tek Krishti, natyrisht që do të lihen mënjanë
motivet false. Ai është Fryma e së Vërtetës.
Ai do t’ia futë zemrës së këtij njeriu
shqetësimin për shpirtin e tij, në vend të ndonjë dëshire që mund të ketë ai
për përfitime materiale apo qëllime të tjera.
Bibla na thotë se frika ndaj Perëndisë
është fillimi i çdo urtësie. Në qoftë se
kjo është e vërtetë, dhe sigurisht që është, atëherë a nuk duhet ta kërkojmë
këtë gjë në jetën e atyre që tregojnë interes për ungjillin? Së bashku me këtë, në jetën e tyre, ne duhet t’i
shohim edhe përulësinë, dëshirën dhe gatishmërinë për t’iu nënshtruar
autoriteteve frymërore. Njeriu që nuk u
nënshtrohet autoriteteve është njeri që nuk është thyer akoma, njeri tek i cili
vetja është akoma mbi gjithçka. Askush
nuk mund të vijë tek Perëndia me egoizëm të fryrë dhe krenari. Gjithmonë ka një element përuljeje dhe
nënshtrimi të vërtetë tek njeriu që kthehet tek Perëndia.
Besimtari i vërtetë e di se nuk mund të
pretendojë se ai vetë ka ndonjë meritë për shpëtimin e tij, dmth kupton se nuk
e meriton atë dhe është shpëtuar vetëm me anë të hirit të Perëndisë (Efes.
2:8-9). Ai e kupton se nuk mund të
pretendojë se është besimtar duke e bazuar këtë vetëm në ndonjë përvojë që ai
ka pasur në jetën e tij, qoftë kjo një përvojë fetare apo e ndonjë lloji
tjetër. Në fakt, ai duhet ta kuptojë se
jo të gjitha përvojat, ëndrrat dhe vegimet fetare etj., vijnë prej Perëndisë. Disa prej tyre vijnë prej djallit që mundohet
të na mashtrojë në mënyrë që të shkojmë në rrugë të gabuar.
Mjaft njerëz në ditët e sotme i janë
kthyer Perëndisë ngaqë lutjet e tyre morën përgjigje. Duket që kjo ka qenë një nga mënyrat që
Perëndia u ka treguar vërtetësinë e ekzistencës dhe të dashurisë së tij. Për këtë gëzojmë ne të gjithë. Por le të kemi gjithmonë parasysh se ky është
vetëm fillimi dhe jo pikëarritja ku duam të arrijmë. Nuk është një qëllim në vetvete. Duhet ta çojë njeriun drejt përkushtimit ndaj
Krishtit. Ne shpëtohemi duke kuptuar
mesazhin e kryqit, jo duke e parë dhe ndier Perëndinë si plotësues të nevojave
dhe kërkesave tona.
Nuk duam që njerëzit të mendojnë se gjithë
të sipërpërmendurat kërkojmë t’i shohim menjëherë në jetën e atyre që kthehen
në besimtarë. Ne e dimë se në njerëz të
ndryshëm Perëndia vepron në mënyra të ndryshme për t’i sjellë tek Krishti. Shpesh kthimi është një proces dhe jo një
veprim që kryhet e përfundon menjëherë. Në
këto fusha do të ketë thellësi të ndryshme kuptimi. Sidoqofttë, ajo që vërtet po themi është kjo:
në qoftë se pohimi i besimit i një njeriu është i vërtetë, atëherë, shpejt a
vonë, fara e besimit të vërtetë që ai ka në zemrën e tij patjetër që do të ketë
për rrjedhojë gjërat e sipërpërmendura. Nuk
mund të ndodhë ndryshe. Në qoftë se nuk
i shohim këto gjëra, atëherë ngrihet pyetja: a është besimi i këtij njeriu
besim i vërtetë dhe a është kthimi i tij kthimi i duhur?
Fryma e Perëndisë banon tek besimtari
Ndoshta gjëja më e lavdishme dhe përulëse
që i ndodh një njeriu kur ai lind sërisht është fakti që vetë Perëndia e vendos
Frymën e tij të Shenjtë në zemrën e njeriut për t’i zbatuar këto ndryshime dhe
për t’i realizuar ato në jetën e tij.
Në blogun e mëparshëm pamë se rilindja
kryhet nga puna që e bën Fryma e Shenjtë (Gjoni 3:3-8). Rilindja nuk është diçka që njeriu mund ta
kryejë me forcat apo dëshirat e tij njerëzore, por është diçka që kryen Perëndia
në jetën e njeriut.
Puna e parë që e kryen Fryma e Shenjtë në
jetën e një individi është rizgjimi i tij frymëror (dmth sjellja në jetë e
frymës së tij), dhe pastaj Fryma vjen për të banuar tek ai, duke ia sjellë
kështu fuqinë e Perëndisë jetës së tij:
“Ai na shpëtoi jo me anë të veprave
të drejta, që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes
dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë”. (Titi 3:5)
“Pendohuni dhe secili nga ju le të
pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve; dhe ju do të merrni
dhuratën e Frymës së Shenjtë”. (Vep. 2:38)
Kjo punë përshkruhet edhe nga Ezekieli
kështu:
“Do t’ju jap një zemër të re dhe do
të shtie brenda jush një frymë të re; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri
dhe do t’ju jap zemër prej mishi. Do të
vë brenda jush Frymën tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia,
dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni dekretet e mia”. (Ezek. 36:26-27)
Besimtari ka një zemër të re dhe Fryma e
Shenjtë banon tek ai. Kështu i lindet dëshira
që t’i bindet Perëndisë. Rrjedhojat e të
banuarit të Frymës së Shenjtë në zemrën e besimtarit janë të trefishta:
Së pari, ndodh një ndryshim karakteri, siç e shqyrtuam në blogun e mëparshëm. Kjo na jepet tek Galatasit 5:19-24. Këtu ne shohim një listë të frutave të Frymës
në jetën e besimtarit. Pali krahason atë
karakter që kishte njeriu kur ishte jobesimtar me ndryshimin e madh që ndodhi
nëpërmjet veprimit të Frymës së Shenjtë me rritjen e frutave të dashurisë,
gëzimit, paqes, zemërgjerësisë, mirëdashjes, mirësisë, besnikërisë, zemërbutësisë
dhe vetëpërmbajtjes. Ky ndryshim
nënvizohet në vargun 24: “ata që janë të
Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe epshet”.
Së dyti, në jetën e besimtarit ndodh edhe procesi i pastrimit dhe shenjtërimit. Jeta e tij pastrohet prej mëkatit dhe efektit
të tij, pastrohet në një mënyrë të tillë që veset e tij të pastrohen dhe ai nuk
është më skllav i tyre. Zgjyra, plehu
dhe bataku i mëkatit nuk janë më pjesë e jetës së tij. Janë pastërtia dhe dëlirësia shenjat dalluese
të jetës së tij. Këtë e jep mjaft bukur
Isaia: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin
të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe si
purpur, do të bëhen si leshi”. (Isa. 1:18).
Së treti, brenda jetës së besimtarit ndodh
rritja e natyrës së Krishtit. Tek Romakët 8:9-10 na bëhet e qartë se kur ke
Frymën e Shenjtë që banon brenda teje, ke edhe Krishtin, dmth natyra e tij po
zhvillohet në brendësinë e zemrës sate:
“Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju,
ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por
në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, nuk është i tij. Dhe, nëse Krishti është në ju, trupi është i
vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë”.
Kjo është fruta e pranisë së Frymës së
Shenjtë. Dhe e gjithë kjo punë është një
e vërtetë e lavdishme të cilën vetëm ungjilli mund ta sjellë në jetën e një
njeriu! Dalngadalë, ditë pas dite, jeta
e njeriut përshtatet edhe më shumë me atë të Krishtit, ai bëhet gjithnjë e më
shumë si Jezui! Kjo mund të shihet në
qëndrimet e tij, në veprimet e tij dhe në pjesë të tjera të jetës së tij. Njeriu e kupton dobinë e mësimeve të Krishtit
dhe fillon t’i zbatojë ato në jetën e tij.
Pali i inkurajon besimtarët tek Efesianët
5:18 që të mbushen me Frymën e
Shenjtë. Perëndia dëshiron jo vetëm që
Fryma e Shenjtë të banojë në zemrat tona, por gjithashtu që ne të mbushemi me prezencën
dhe fuqinë e tij. Vargu mund të
përkthehet fjalë për fjalë kështu: “Vazhdoni të mbusheni me Frymën”, pra na
përshkruhet këtu një proces i vazhdueshëm dhe i përditshëm. Dhe sigurisht, në qoftë se jeta e një
besimtari mbushet vazhdimisht me prezencën e Frymës dhe me fuqinë e tij,
atëherë është më se e kuptueshme se do të shihen mjaft qartë ndryshimet për të cilat
po flasim në këto blogje. Ndryshimet do
të jenë më të mëdha në jetën e njeriut dhe do të kenë gjithashtu një efekt të
madh edhe në jetën e të tjerëve. Duhet
kjo të jetë dëshira jonë si besimtarë.
Domosdoshmëria për të qenë i bindur
Sigurisht, të gjitha këto që i kemi thënë
rreth punës së Frymës së Shenjtë në jetën e besimtarit dhe rreth ndryshimeve që
i shkakton dhe sjell ai, varen nga bashkëpunimi plot bindje i besimtarit. Ato kurrë nuk do të ndodhin automatikisht,
shkëputur nga bindja e besimtarit. Shkrimet
na flasin shumë për punën e Frymës në besimtarët, por po kaq ato flasin edhe
për nevojën që besimtari t’i tregohet i bindur dhe të zbatojë Fjalën e
Perëndisë. Një besimtar i pabindur nuk
ka asnjë të drejtë të presë që këto të ndodhin në jetën e tij. Ai duhet të bëjë atë që i kërkohet atij. Për sa kohë që nuk e bën këtë, nuk ka për t’i
parë kurrë këto të pasqyrohen në jetën e tij. Është besimtar i bindur ai që shikon në jetën
e tij realizimin e këtyre të vërtetave.
No comments:
Post a Comment